Starton edicioni i 7-të i Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Folk”

Në datën 9 maj festivali do të mbyllet me një koncert madhështor përmbyllës. Aktiviteti i cili u zhvilluar në skenën e ngritur në Sheshin “Pavarësia” në Skelë, nisi me performimin e grupit të valleve burimore të fëmijëve të Qendrës Kulturore “Bajram Tushi” të qytetit, ndërkohë që më pas vijuan Ansambli “Dance Plus”, i Elbasanit, Ansambli “Detelina” i Sofjes (Bullgari) dhe Ansambli “Mlodi Torun”, i qytetit Torun (Poloni).

Artdashësit e shumtë vlonjatë, të pasionuar dhe dashamirës të folklorit, ndoqën interpretimin e këtyre grupeve që dallonin prej njeri tjetrit, nga kostumet, ngjyrat e tyre, nga koreografia, ritmika e lëvizjes dhe këngët, por që kishin të përbashkët muzikën, gjuhën e të gjithë popujve

Skena e madhe e festivalit përcolli në ditën e parë të tij larminë e folklorit nga treva dhe vende të ndryshme, nga Shqipëria e Mesme dhe Bullgaria e Polonia. Atmosfera festive e mbrëmjes në Sheshin “Pavarësia” u ndez nën ritmin e valltarëve dhe muzikën e këtyre grupeve. Ndërkohë, emocione të veçanta përcolli edhe mjeshtri i valles tropojane Deli Metaliaj, në interpretimin e një dueti lirik, së bashku me mbesën e vet.

Festivali do të vijojë në natën e dytë me koncertin e ansamblit “Inegol Kafkas Folklor” nga Turqia, ansamblit “Citta di Ostuni”, nga Italia, “Iliria” nga Shkupi (Maqedoni) dhe Ansambli “Bajram Curri”, nga Prishtina.

Një histori e shkurtër

Në 7 edicionet e këtij aktiviteti, Kupa e Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Inter Folk Festival“, ka shkuar në Kroaci, Sllovaki, Kosovë, Tiranë ( Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore), Bullgari dhe Itali.

Festivali ka nisur rrugëtimin në muajin maj të vitit 2009, kur do të shënohej edhe Edicioni i Parë. Gjatë këtyre viteve, në këtë aktivitet të rëndësishëm të folklorit në shkallë vendi dhe më gjerë, kanë marrë pjesë 60 ansamble nga dymbëdhjetë vende të Evropës, me më shumë se 2200 artistë.

Për nga dimensionet, pjesëmarrjen dhe standardet menaxhuese, Festivali “Aulona International Folk Festival”, vlerësohet si aktiviteti më i madh ndërkombëtar i kësaj fushe në trojet shqiptare. Krahas kësaj, ky aktivitet vlerësohet si unikal për shkak të lidhjeve dhe raporteve që krijon mes turizmit kulturor, me atë natyror, çka reflekton edhe me zhvillimin e tij në nisje, apo si pjesë e programit të çeljes së sezonit turistik në Vlorë.

Edicioni i 7-të i “Aulona International Folk Festival“, mbështetet nga donatorë të ndryshëm, ente private e publike, si një projekt kulturor e integrues. Mes tyre përfshihen Bashkia Vlorë, Agjencia e Mbrojtjes së Shqopërisë Civile, AMSHC, Instituti Italian i Kulturës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë etj.

 

Authors

*

Top