Sa rrezikojnë partitë?

0Dita e mërkurë e kësaj jave, që ligjërisht shënon fundin e afatit për mbylljen e listave të kandidatëve për kryebashkiakë dhe anëtarë këshillash, është dhe dita-ultimatum që SHBA dhe BE-ja kanë përcaktuar për largimin nga to, të kandidatëve të dyshuar për lidhje me krimin. Diplomatët e huaj, kanë premtuar një reagim ndryshe këtë herë, nëse politika (partitë) vazhdojnë t’i injorojnë thirrjet e tyre për dekriminmalizimin.

Asnjë lëvizje konkrete njuk ka patur nga të dy kampet për një pastrim të listave të kandidatëve, prej tyre, ve largimit të një emri nga PD-ja (kandidat në Kurbin), por që sipas mediave nuk përflitej si me rekorde kriminale. Kërkesa e fundit e kandidatit të PD-së, për t’u tërhequr është hedhur poshtë nga përfaqësues të PS-së, sipas të cilëve, nëse një kandidat regjistrohet, nuk mund ët zëvendësohet më nga KQZ-ja.

Mos vallë ky është një kurth ligjor, në të cilin mund të bien brenda partitë, që kanë future emra të inkriminuarish nëpër lista? Sa rrezikojnë partitë realisht? Sipas versionit të procedurave të krahut të majtë, asnjë kandidat i regjistruar tashmë, nuk mund të zëvendësohet, ndaj nëse ai eliminohet për të kaluar kriminale, apo për lidhje me krimin, gara bëhet e lehtë për kundërshtarin e tij në letër. Për PD-në, emrat në KQZ janë regjistruar nga partia, ndaj nëse një kandidat dorëhiqet personalisht, forca që e ka propozuar, mund ta zëvendësojë.

Varianti i dytë, ai i PD-së do t’u pëlqejë më shumë forcave të mëdha, nëse do të jenë të detyruara të pastrojnë listat e të inkriminuarve, jo më pas presionit të ndërkombëtarëve (pasi nuk kanë pyetur për të), por pas demaskimit publik (siç po përflitet në media) të tyre. Nëse do të mbetej variant socialist i kundërshtimit të tërheqjes së kandidatit democrat në Kurbin, atëherë forcat politike rrezikojnë shumë, të humbasin ndonjë kandidat fitimtar dhe me atë rast edhe ndonjë bastion, apo zonë të sigurtë.

Vërtet partitë janë të vendosura të rrezikojnë kaq shumë, apo mendojnë se edhe këtë herë, ndërkombëtarët do të mbeten deri tek presioni, si përmasë reaguese (siç ka ndodhur thuajse gjithmonë)? Gjithsesi kjo lojë nervash, se kush i ka më të fortë, vë në rrezik votat konkrete të partive, jo më reputacionin, që e kanë humbur prej kohësh. Në të njëjtën kohë mund të humbasë besueshmërinë edhe diplomacia e huaj në vendin tonë, që në rastin e dekriminalizimit, ka vendosur të jetë shumë aktive dhe e ashpër.

Ndërkombëtarët, mendohet se nuk duan të luajnë shumë me reputacionin e tyre, apo besueshmërinë që gëzojnë tek shqiptarët. Ata kanë planifikuar, me sa duket, t’i japin një dush të mirë politikës shqiptare fjalëlumë dhe të pabesë, që tjetër premton e tjetër bën. Është koha, që edhe faktori i huaj t’i dëshmojë politikës shqiptare, se sa shumë rrezikon, nëse premton më kot dhe nuk largohesh një herë e mirë nga krimi dhe bota që e rrethon.

Nëpër portale gëlojnë lajmet me hamendje rruge, apo thashetheme tavolinash, për emra nga lista e koalicionit të majtë dhe atij të PD-së, që do të eliminohen, pasi vlerësohen të dyshimtë. Por deri këtu, kemi qenë gjithnjë, pasi fjalët e shumta, asnjë herë nuk kanë prodhuar punë të dobishme për shoqërinë. Dhe, këtë herë shoqëria jonë ka nevojë, që të pastrohet nga emra të dyshimtë, që tentojnë të hyjnë edhe në politikë, apo jetën publike, për t’u pastruar vetë.

Rreziku tjetër i politikës, madje mendoj se shumë i madh, është mund të cënojë në mënyhrë të parekuperueshme marrëdhëniet me shtetet perëndimore, diplomatët e të cilave kanë bërë kaq shumë presion për dekriminalizimin. Askush, të paktën publikisht, deri tani, nuk është i interesuar të ketë ndërkombëtarët kundër, për asnjë çështje, duke ditur rëndësinë që ka për politikën tonë pam këllqe të forta, opinioni i të huajve. 

Njëkohësisht, edhe të huajt, pra faktori ndërkombëtar me SHBA dhe BE, në krye, duhet të dëshmojë kësaj here një venmdosmëri, ndryshe nga deri më sot, për ta çuar një porosi, apo reform (nëse mund ta quajmë të tillë) deri në fund. Dekriminalizimi kërkon hapa konkretë detyrues, fillimisht edhe me imponim për politikën shqiptare, që më pas do të mund t’i legalizojë, përmes një kuadri ligjor, të këshilluar gjithashtu me eksperiencën e huaj.

Partitë tona politike, në kushtet në të cilat ndodhen, rrezikojnë shumë, nga humbja e një kapitali ekonomik mbëshettës, por gjithashtu i një kapitali politik (vota të siguruara nga të fortët e inkriminuar në politikë). Ato duhet të mësohen shpejt me dhimbjen e shërimit të plagës, për të ecur në mënyrë dinjitoze, aty ku kërkon koha dhe jo shtigjeve e gërxheve të botës së krimit. Votat, por dhe paratë e lehta, janë një ushqim i lakmueshëm për politikën kudo, veçanërisht për këtë tonën, por dekriminalizimi duhet të jetë një hap i parë konkret, për të shkulur më pas edhe metastazat e krimit, që po përhapen në mbarë shoqërinë tonë, të brishtë dhe aspak të imunizuar nga të tillë sëmundje të rrezikshme.

Authors

*

Top