Pse Taulant Balla propozon një “grusht shteti” mediatik

Nga Andi Bushati

andi bushati 2Si rrallë ndonjëherë OSBE dhe Këshilli i Europës kanë ngritur alarmin kundër krijimit të monopoleve mediatike në Shqipëri. Përmes zërit të zyrtarëve të tyre më të lartë, ata kanë lëshuar apel në mes të Tiranës kundër përqëndrimit të pushtetit mediatik në duart e një numri të kufizuar pronarësh. Ata i kanë bërë thirrje njëzëri politikës të mbajë duart larg këtij pushteti tjetër.

Por ky shqetësim pothuajse u fshi nga lajmet e televizioneve kryesore të vendit, ndaj për arsyet e tij duhet bërë një shpjegim.

Ai ka ardhur pas një propozimi të deputetit socialist Taulant Balla, për të shfuqizuar nenin 62 të ligjit për mediat audiovizive. Dhe ky nen është një nen themelor që garanton pluralitetin e mediave të mëdha në vend. Ai kufizon, për shembull, që një televizion kombëtar të kontrollohet nga një pronar i vetëm (maksimiumi i aksioneve të lejuara në shoqëri nuk mund të jetë më shumë se 40%). Ai kufizon gjithashtu, që i njëjti pronar të ketë shumicën e aksioneve në një televizion lokal e kështu me rradhë. Pra në thelb ai pengon përqëndrimin e armëve të propagandës në një dorë të vetme. Në këtë kuptim ai është një garanci në shërbim të publikut, kundër monopoleve, kundër përdorimit të mediave për interesa meskine, kundër shantazhit të atyre që bëjnë pallate për të mbajtur televizione dhe mbajnë televizione për të vazhduar të bëjnë pallate.

Po atëherë, përse propozimi okult, i nisur nga interesa grupesh meskine dhe për përfitime klanesh mediatike i bërë nga Taulant Balla kërkon amendimin e këtij neni?

Arsyet janë dy. Së pari pronarët e grupeve më të mëdha mediatike, ata që prezumohen të jenë mbrojtësit e parë të interesit publik, gjenden aktualisht në shkelje flagrante të ligjit. Ata i kanë shkruar aksionet e tyre në emra shokësh të remë, kushërinjsh fallco apo personash krejtësisht anonimë. Kështu ata janë shndërruar sot, në mëyrë klandestine, në padronë perandorish mediatike që i përdorin për interesat e tyre personale. Taulant Balla do t’ua japë edhe me ligj këtë të drejtë.

Arsyeja e dytë është se nëse neni i famshëm 62 nuk shfuqizohet, të njëjtët padronë mediatikë nuk mund të marrin pjesë në pazarin e ri të ndarjes së 5 frekuencave të dixhitalit tokësor, për të cilat po zhvillohet një luftë e vërtetë e nëndheshme.

Këto motive, aspak në mirëbesim, e kanë shtyrë Ballën (i cili me sa duket ka pas tij ndonjë më të fuqishëm, që do të hedhë gurin duke pasur frikë të tregojë dorën) të bëjë këtë propozim skandaloz.

Po përse skandaloz?

Ai është i tillë, sepse neni që Balla do të amendojë ekziston pothuajse në të gjitha vendet europiane me demokraci ku e ku më të zhvilluar se ne.  

Ai është i tillë, sepse kërkon t’u japë edhe pushtet ligjor atyre që janë përgjegjës për shkatërrimin e mjedisit mediatik në këtë vend.

Ai është i tillë, sepse rrezikon ta bëjë edhe më të varur, edhe më të kontrolluar informimin e publikut.

Ai është i tillë, se në erën e hapjes globale predikon monopolizimin.

Ai është i tillë, sepse rrit edhe më tepër pushtetin e atyre padronëve që mediat i shohin si një mall këmbimi për të marrë favore nga pushteti politik.

Ai është i tillë, se u jep më tepër forcë atyre njerëzve që pasi kanë përdhosur profesionin e gazetarit, tani refuzojnë me përbuzje t’i paguajnë ata.

Si një nga gazetarët që gjatë karrierës së tij e ka pasur rastin të provojë se si veprojnë grupe mediatike me shumë aksionerë dhe se si degjenerojnë ato kur përfundojnë vetëm në një dorë të vetme, jam i bindur se amendamenti Balla është një hap regresiv, klientelist dhe i dëmshëm. Por, përpos kësaj, ai është edhe shoqërisht i rrezikshëm. Në një mjedis ku pushteti politik është mbledhur në gjithnjë e më pak duar; kur partitë politike po kthehen në domene personale; kur liderët e tyre i kontrollojnë jo vetëm ato, por me anë të ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës, edhe zgjedhjen pa pengesa të kreut të shtetit; kur përmes tij kanë dorë edhe në përzgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve, një akt i tillë duket edhe më i rëndë. Në një kontekst kur biznesmenët e mëdhej bëhen gjithnjë e më të pasur dhe të varfërit gjithnjë e më të varfër, kur OJQ-të janë përherë e më të varura nga pushteti politik dhe zërat e pavarur gjithnjë e më të paktë, nisma për të rritur monopolin në media duhet parë thjesht si një tentativë për forcimin e një kaste gjithnjë e më të vogël dhe gjithnjë e më të izoluar. E në këtë kuptim, ajo bëhet disa herë më e rrezikshme. Ajo i ngjan më shumë një “grushti shteti” mediatik, kur e drejta për informim nuk shihet më si një kundërpushtet në favor të publikut, por si një mall shkëmbimi që u jepet në duar atyre që e kanë përdhosur atë.   

*

Top