Pragmatizëm cinik, për votën

0Në vazhdën e fushatës zgjedhore për 21 qershorin, po vihet re një pragmatizëm cinik nga liderët e koalicioneve, për të kërkuar votën e qytetarëve, ngado vendit. Duke tejkaluar emrat konkretë të kandidatëve, apo duke i përdorur ata vetëm si cohë dekori, kryeministri dhe kreu i opozitës, po kërkojnë votë plebishitare, po kërkojnë votë kundër dhe jo vetë pro alternativave që paraqesin.

Cinizmi në mënyrë të skajshme po merr edhe pamje kërcënuese pasi, çdo e mirë që pritet të vijë nga qytetarët, do të matet me votën e tyre. Jo më kot, kryeministri Rama deklaroi në Himarë, se nëse do të kërkonin ujë, himariotët duhet të votonin për kandidatin e shumicës, pasi në rast të kundërt, do të mbesnin pa të. Alternativa për banorët e asaj zone, është e thjeshtë për kreun e qeverisë, të votojnë kundër kandidatëve të opozitës, apo të partisë së Dules.

Tani, doni ujë? Ja ku e keni atë që jua sjell ujin. Doni të rrini pa ujë, kapni një nga ata të dy edhe shikoni pastaj njëri-tjetrin. Se jo për gjë, por këta kryetarët e bashkisë që çon Saliu nëpër Shqipëri, edhe ky tjetri që ka ardhur këtu, që as emrin nuk dua t’ia përmend e as nuk dua t’ia mbaj mend, se nuk ia mbaj mend, këta nuk janë në gjendje të bashkëpunojnë me qeverinë”, – tha Rama.

Në këtë linjë, edhe ditët e shkuara, Rama pat përmendur nga Berati, një fakt të ngjashëm, se nuk ka bashki, pa qeverinë e madhe, pa fondet që ajo ka në dorë. Deklaratat në fjalë, që nga disa janë etiketuar edhe kërcënuese, janë më shumë cinike dhe kërkojnë ndërgjegjësim, se çdo gjë e pa bërë në vend, i faturohet kundërshtarit, të larguar, apo në pushtet (qëndror, apo vendor, dje, apo sot).

Për kryeministrin, vota plebishitare kundër opozitës aktuale (edhe pse nuk është votë e përgjithshme) do të thotë të jesh në “drejtimin e duhur”, p;ër ecurinë e vendit. Por, të shohësh gjithçka të errët, sikur nuk vlen, kur është larg teje, nuk është vetëm shprehje cinizmi, në kërkim të votës, por edhe nihilizmi pragmatik. Mjafton të jesh me mua, që punët t’i kesh mirë, në rast të kundërt, fajin e ke vetë, për çdo gjë.

Në këtë lloj pragmatizmi cinik, kryeministri arrin deri aty sa të kërkojë edhe votat e qytetarëve opozitarë, duke “i ndërgjegjësuar” për të keqen që do të përfaqësonin, nëse votonin “gabim”.

Himarjotët janë njerëz të çuditshëm, kanë lloje-lloje gjërash në kokë, janë kokë më vete, por budallenj as kanë qenë dhe as i ka bërë njeri për budallenj. Prandaj do t’iu lutesha shumë atyre himarjotëve që janë me Partinë Demokratike, që mos na turpëroni duke bërë budallain, duke shkuar për të votuar atë që ka sjellë Saliu këtu” – tha Rama.

Nuk qëndron më pas në këtë lojë pragmatizmi cinik (siç po e quajmë), as lideri i opozitës Basha, që pa analizuar ende disfatën e dy viteve më parë në zgjedhje nga keqqevesja e atëhershme, po flet për ndëshkim të keqqeverisje të sotme. Edhe ai, kërkon maksimalizim të votive kundër shumicës së sotme, duke harruar se mission  ka shtimin e votave të PD-së, që po i rrjedhin dita-ditës, nga çdo anë dhe çdo aleat.

Sipas kreut të opozitës, nëse voton sot për shumicën (duke harruar se vota është për kandidatë konkretë, pra mazhoritare, ndonëse me sigël politike) do të vazhdojë eksodi masiv i shqiptarëve, varfërimi i tyre dhe shkatërrimi i perspektivës. Për çdo të keqe që ndodh sot, për Bashën e ka fajin shumica dhe qeverisja e saj, që bën propagandë nëpër televizione.

Në mënyrë pragmatike dhe cinike, drejtuesi i opozitës, kërkon votë plebishitare kundër pushtetit të sotëm, si zgjidhje për të nesërmen, ndonëse alternativë nuk jep. Basha nuk shprehet se vota kundër shumicës, do t’i shkojë atij dhe krahut që përfaqëson, si benefit pushteti, që më pas çon në “drejtimin e duhur” të pasurimit, siç flet sot për qeveritarët.

Thënë më shkoqur, kjo lloj politike, apo fushate politike, po kërkon me ngulm votën kundër “armikut”, siç konsiderohet kundërshtari, shpesh, pasi për votë në favor kurrë nuk ka menduar kush. Është cinizëm, ndonëse pragmatik në këtë rast, t’u kujtosh qytetarëve gjithë hallet e dertet, sikur t’u vësh gishtin mbi plagë të hapur, dhe t’u thuash se, ua shkaktoi kundërshtari yt, duke u hequr gjithë kohës si një mjek popullor (jo shaman, se do të ishte disi fyese).

Flasim shpesh për demokratizim, apo për frymë europeiste, por me sjellje kaq cinike ndaj elektoratit, të cilit i kërkohet vota çdo dy vjet (për pushtetin e vogël dhe atë të madh) nuk shkëputemi fare nga pragmatizmi i shëmtuar më jep-të jap, votë-pushtet. Është ky mentalitet që po gëlltitet çdo ditë nga njerëzit (edhe përmes mediave), duke e shpërfytyruar, jo vetëm skenën politike, por tashmë edhe elektoratin që e zgjedh. Nuk është rastësi që me gjuhë prepotente, elektoratit i kujtohet rreziku i zhgënjimit nga vota, natyrisht i liderit, apo liderëve, dhe jo vetë votuesit të thjeshtë.

 

Authors

*

Top