Një martesë Çehoviane/Regjisorja Driada Dervishi: Teatri ju rrit së brendshmi

0Një komedi  e suksesshme, një dramaturg i madh,  një regjisore e talentuar me plot 22 premiera si dhe një trupë aktorësh tashmë të njohur jo vetëm në skenën e teatrit të Durrësit, një gërshetim mes aktorëve me eksperiencë e atyre të rinj janë këto elementët  kryesorë që bënë që  “Martesa” të ngjallë shumë interes e të ndërpritet shpesh nga duatrokitjet e publikut durrsak.  “Martesa” u interpretua nga aktorët brilant të këtij teatri, si: Sanie Hoti, Gjergj Doçi, Mimoza Marjanaku, Xhejni Fama, Ervin Doko, Eralda Çaushi, Amos Muji Zaharia, Adelina Muça, Vilma Hodo, Suela Bako dhe Marsel Rupi, duke përmendur edhe aktorët e vegjël Kaltrin, Lizarda, Franka e Sidriti.

Një Çehov plot me nota humori, delikat, poetik dhe grotesk, të gjitha këto e më shumë vërehen në veprat e tij të vogla që ai vetë i quante me shaka “ vaudeville të zakonshëm dhe pak të mërzitshëm” por që patën dhe kanë një sukses të madh e  të vazhdueshëm.  5 pjesë një aktëshe, të kornizuara në një  MARTESË. Një Martesë ku si në të gjitha martesat ka: britma gëzimi dhe inati, të qara dhe të qeshura, kërcënime dhe deklarata dashurie, duele për luftë dhe për dashuri.

Pas teatrin “Aleksandër Moisiu”, Durrësit shfaqja pritet të ngjitet edhe në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Regjisorja Dervishi sjell komedinë ‘Martesa’ pas suksesit që pati me “Vanja, Sonja, Masha e të tjerë”, e cila përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin e Teatrove në Izmir.

Në një intervistë dhënë për portalin Pol.al, regjisorja e suksesshme tregon për shfaqjen e saj më të fundit në skenën teatrore si edhe projektet e ardhshme artistike.

 1

  • Cila është tematika dhe mesazhi që përcjell kjo shfaqje tek publiku durrsak?

Përshtatja e pjesëve tepër të njohura të A.Çehovit – Ariu, Tragjik pa dashje, Propozimi, Martesa e Kënga e mjellmës, erdhi për mua si një domosdoshmëri për t’i bërë një homazh nderimi, njërit  prej dramaturgëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Publiku i gjerë e njeh Anton Çehovin, si mjeshtrin e madh të tregimeve të shkurtra , por vetëm njohësit e mirë të teatrit, e dinë se çfarë kryeveprash ka shkruar ai për skenën dhe sa e fortë është pena e tij në historinë botërore të teatrit. Vendosa pra t’i propozoj publikut që e njeh dhe atij që nuk e njeh,  5 pjesëza të vogla me një akt, të shkrira të gjitha në një të vetme, në një Martesë të madhe. Pjesët e tij me një akt janë të admirueshme për thjeshtësinë  dhe qartësinë tyre, të jashtëzakonshme për debatin e papritur që sjellin si dhe humorin…një humor, që duket sikur i paraprin trishtimit të tij për monotoninë e jetës, mendjelehtësinë e marrëdhënieve që ne ndërtojmë e sidomos budallallëkun e njerëzve. Raporti burrë grua dominon në pjesën më të madhe të këtyre pjesëve, në secilin prej tyre kemi të gjitha fazat nëpër të cilat kalon marrëdhënia në çift – Te Ariu kemi aktin e joshjes, tek Propozimi, një propozim për martesë që nis me një sherr që nuk mbaron kurrë, si për të nënvizuar një debat të kahershëm në jetën bashkëshortore; për të vazhduar me një bashkëshort, të kthyer nga barra e jetës bashkëshortore, në një  “Tragjik padashje” që përpiqet ta ndalojë Martesën, pa mundur që t’ia dalë.

 6

  • Shfaqja- komedi ka personazhe të larmishme. Si është bërë përzgjedhja e tyre.

Martesa ka shumë personazhe të larmishëm. 11 aktorë dhe 4 aktorë të vegjël. Ka shumë personazhe është e vërtetë, po them sa më  shumë personazhe aq më shumë mundësi shprehjeje.  Çehovi ishte një vëzhgues  parexellance i njeriut, i së përditshmes së tij. Në çdo novelë, tregim apo pjesë të tij, ti takohesh me karaktere e figura nga më komiket tek më tragjiket, ishte kjo yshtja e parë për të krijuar  këtë  dasmë të madhe; Një dasëm ku personazhe të ndryshëm, bëhen bashkë në një vend veprimi.  Kur stafi i aktorëve është  i madh ka më shumë përgjegjësi, më shumë ngarkesë, por nga ana tjetër kjo të ndihmon t’i japesh formë  substancës që ke në mendje. Të ndihmon të ndërtosh imazhe skenike më të plotë, të luash me mizanskenat dhe të krijosh nga dita në ditë, gjëra të reja, detaje, ku  secili prej aktoreve, herë në mënyrë të pavetëdijshme e herë jo, të ndihmojnë që t’i ngjizësh, t’i çosh më tej ato që ke pasur në kokë e kështu nuk të lënë të konsumohesh, por përkundrazi të ripërtërihesh vazhdimisht. Loja dhe zhdërvjelltësia e aktorëve,  bënë që të  përcillnin më së miri me mjeshtëri situata dhe karaktere të ndryshëm. Çdo gjë duket kaq e thjeshtë kur je i ulur në publik – dhe në fakt ashtu duhet te duket –  po në fakt është krejt e kundërta, ata vrapojnë gjatë gjithë kohës duke e përjetuar atë që po ndodh, aty për aty, për të mos harruar një varg të gjatë provash pafund, pikërisht për të arritur atë natyrshmëri e vërtetësi që vjen te publiku.

Duke pasur parasysh trupën e aktorëve të teatrit “A. Moisiu”  duke punuar prej shumë kohësh me ta, nuk ishte aspak e vështirë përzgjedhja e roleve, madje them, pikërisht njohja mirë e tyre, më ndihmoi  mjaft që ta konkretizoja këtë përshtatje të veprave të Çehovit në një shfaqje të plotë e për këtë dua sinqerisht t’i falenderoj.

 4

  • Cfarë përfaqëson muzika dhe kërcimi në komedinë “Martesa”?

Muzika për mua është themelore në teatër, (kjo ndoshta dhe për arsyen se ka aq pak mundësi  për të luajtur me ndriçimin, si pasojë e varfërisë teknike që mbizotëron në të gjithë teatrot në Shqipëri.)  pasazhet e saj ndikojne në veprimin skenik, e çojnë përpara. Po muzikën këtë herë vendosa ta gërshetoj  me  një element pa të cilin dasma nuk merr kuptim – kërcimin. Kështu kalimi nga një situatë në tjetrën, u bë në shfaqje përmes  etydeve koreografikë. Etydet koreografike të punuar nga Elton Cefa, sjellin një atmosferë të freskët e që përfshijnë publikun.  Koreografia i jep një tjetër dimension teatrit, mizanskenat e krijuara prej saj, i japin frymë  ngjarjes që ti do të tregosh,të ndihmojnë të krijosh imazhe që të mbesin në mendje, imazhe që së bashku me muzikën, i japin forcë fjalës, e bëjnë të arrijë më shpejt te publiku dhe them e ndihmojnë pse jo, edhe të mrekullohet. Muzika, të ndihmon të hapësh portat e emocionit  te publiku, ashtu siç i ndihmon aktorët fizikisht, në ritëm , i mbështet në momente kulmore, e pasi shfaqja ka mbaruar, vërtitet lehtë në kokën e gjithsecilit, duke bërë kështu që ta mbajë gjatë në kujtesë edhe vetë shfaqjen.

3 

  • Cfarë i sugjeroni personave të cilët dëshirojnë të ndjekin gjurmët tuaja?

Nëse doni të bëni shumë miq, (por  ndoshta dhe pak armiq), nëse doni të njihni njerëzit, të kuptoni diçka nga përse-ja e kësaj jete, nëse doni të udhëtoni shpesh, të bëni gjumë të parehatshëm sa herë që keni shfaqje, të takoni personazhe që kanë shekuj që nuk janë më, e mbi të gjitha nëse doni të kaloni një jetë mes një ankthi të vazhdueshëm, kokëçarjesh të çudithshme, ngazëllimi ngashëryes e emocionesh pafund …bëni teater! Nëse të  lexuarit ju ndryshon së brendshmi, teatri ju rrit së brendshmi…SHIHNI TEATËR. BËNI TEATËR!5

  • Projekte të ardhshme, ëndrra në sirtar?

Teatri është një vend ku përplasen emocionet, ku ti përshfaqesh, një vend çmendurie, katarsisi,  ku të lindin në kokë gjëra që duken si jashtë normales, si të pamundura,  në fillim thjesht si ide te vogla, rastësore, por që dalëngadalë marrin formë duke krijuar lëndën për një shfaqje teatrale, e kur kalon disa kohë duke e bërë këtë profesion, e kupton që pas njëfarë kohe nuk jeton më dot pa të gjitha këto,  të bëhet “ves” të menduarit e të kërkuarit vazhdimisht të gjëravë të reja.

Unë deri tani kam bërë  gjithnjë atë që më ka ngacmuar, e kam lexuar një vepër dhe në momentin që e kam ndjerë se si do jetë në skenë,…pas pak kohësh  e kam parë vërtet, aty në skenë, para një publiku. Më pas ajo pjesë, ajo shfaqje,  mbetet një ëndërr e bukur, por jo një ëndërr në sirtar. Uroj të kem aq  jetë e  fat sa të mos  e çoj kurrë një vepër në sirtarin e ëndrrave.
9

Shumë faleminderit dhe suksese!

Related posts

*

Top