Lërini të përballen, mos i cysni të përleshen!

Nga Agim Terku 

veliajShpesh këto ditë, po ndjek deklarime politike, por edhe analiza e komente mediatike, që tentojnë që të ndezin zjarrin elektoral në Tiranë, e cila duket ta ketë nisur shtruar fushatën për kryebashkiak të ri. Thuajse ngado po shfaqen kandidatët e shumicës dhe të opozitës, në takime me grupe të ndryshme, por krah tyre, rrallë herë, po shfaqen liderët e krahëve (përveç çasteve të prezantimeve), si dhe eksponentë të forcave politike që i kanë zgjedhur.

Natyrisht, kjo është disi e re për Tiranën, që ka dashur gjithnjë të ketë protagonizmin politik, të angazhuar në fushatë, në krah të kujtdo që është zgjedhur. Mirëpo, disave nuk u pëlqen kjo lloj fushate, ku secili bën punën e vet, takon e premton ngado, pa u marrë shumë me sulme ndaj tjetrit, por me problem dhe shqetësime reale. Nuk u pëlqen gjithashtu, disa mediave (që janë mësuar të jenë analiste ekskluzive të zënkave dhe debateve plot batuta të kundërshtarëve), por kjo po ndodh.

Tashmë po kërkohet se, përse lideri i opozitës e “ka braktisur” kandidatin Kosova, në fushatën e tij, përse nuk po i dalin (sa duhet) në krah deputetët e caktuar me fushatën në Tiranë. Përgjigjet që i japin po ata që i bëjnë janë nga më të larmishmet; Basha nuk del dot krah Kosovës, pasi do t’i prishi punë, me 4 vitete  drejtimit të qytetit prej tij; Beteja është e lexueshme dhe PD-ja është e dorëzuar për humbjen e sigurtë në Tiranë; Kandidati jep pak shpresa për të mundur kundërshtarin e super-koalicionit PS-LSI-etj.

Nëse lideri i opozitës do të ishte shfaqur më tepër në Tiranë, përkrah të zgjedhurit të tij për kryebashkiak, komentet dhe pyetjet do të kishin qenë të ngjashme: përse nuk ka besim tek mënyra e të bërit fushatë të Kosovës; përse do ta eklipsojë këtë figurë të përzgjedhur me kujdes nga të pëlqyeshmit e opinionit publik; përse kërkon protagonizëm edhe aty ku nuk i takon, etj, etj.

Jo më kot, edhe opinion publik tiranas, është disi i bindur se, një prej arsyeve të fitores së Bashës, në zgjedhjet e kaluara lokale (pavarësisht dallavereve me qindra vota në KQZ dhe lojërave me kandidatët t tjerë, jo aleatë), është mosprania, apo prania e vogël e Berishës, krah tij në fushatë. Kjo bëri, që fushata e tij të quhej e kohës, moderne dhe konstruktive.  

Jemi mësuar që kështu ndodh, kur merret në analizë fushata dhe zhvillimet e saj, në kampin opozitar, duke gjetur aty çdo “difekt”, apo mospërputhje me idetë tradicionale të propagandimit të ideve fushatore. Ndaj, harrohet shumica, e cila në këtë rast, ngjason për nga qëndrimi, me opozitën. Edhe kandidati i saj, përveç dy-tre takimeve të para prezantuese, apo tematike, është shfaqur pa mentorët e tij politikë, siç ka qejf t’i quajë, pa mbështetjen e senatorëve të PS-së, me mënyrën e tij të të bërit fushatë.

Kandidatët për Tiranën, duhen lënë të përballen siç duan, për të matur seriozisht forcat e tyre, pa qenë nevoja tek ndihma e të parëve të partive, pasi ndërhyrja e tyre, vetëm sa do t’I acaronte gjakrat dhe do ta ndizte klimën. Liderët e të dy krahëve, me shumë sukses, shajnë e qesëndisin njëri-tjetrin, në takimet e tyre, anëekënd, ndaj nëse do të shtonin praninë e tyre në Tiranë, do ta ndosnin edhe këtë klimë të paqtë që po mbizotëron, deri tani, në kryeqytet.

Ata duhen lënë të qetë në punën e tyre, dhe nuk kanë pse përziejnë shqetësimet për rrugët, kopshtet, gjelbërimin, apo trafikun në Tiranë, me mungesën e ujit në Himarë, me legalizimet në Kamëz, apo me eksodin në Kukës. Sado e ashpër të jetë gjuha e vetë kandidatëve në kryeqytet, ajo do të zbutet, pasi Tirana e gëzon vëmendjen e të gjithëve, edhe të qeverisë qëndrore. Në këtë mënyrë, edhe vetë kandidatët do të harrojnë personalisht, njëri-tjetrin dhe do të merren me çështjet e qytetit dhe të qytetarëve.

I kemi të freskëta, ndodhitë e zgjedhjeve të kaluara, ku koka e partisë ishte e përfshirë totalisht në fushatën për Tiranën, dhe ku libri i shtëpisë së kandidatëve, hapej në mëngjes, për t’u mbyllur fare pak, në mbrëmje. Sharjet, ulërimat, apo diversionet politike, kanë qenë lajmotiv të zgjedhjeve lokale, kur ato politizoheshin skajshëm nga prania e luanëve të partive konkurente. Ndërkohë, sot po shpalosen më shumë ide dhe plane për kryeqytetin, nga sa mund të kemi dëgjuar në të gjitha fushatat e kaluara, së bashku.

 

 

*

Top