Kur ndjesia e fitores nuk mjafton

Nga Robert Prifti

0Vrulli i fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, që ka nisur tashmë dhe po merr hov, për një spektator të thjeshtë, apo për një vëzhgues të vëmendshëm të krijon ndjesi fitoreje për secilën palë. Ndonëse është ende herët, deri më 21 qershor, mjafton të shohësh deklaratat e dy grupimeve më të mëdha, për të kuptuar ndjesitë që ato kanë për fushatat reciproke.

Në kampin e shumicës flitet për një përsëritje të fitores së madhe të 23 qershorit, të dy viteve më parë, apo për një votë plebishitare, në favor të Rilindjes, a reformave të ndërmarra. Ky duket të paktën të jetë edhe qëllimi i koalicionit PS-LSI, që është zgjeruar edhe më tej me forca politike, për t’i dhënë një shtysë popullore politikave reforfmuese, apo shtetformuese, siç i propagandojnë liderët e së majtës.

Njëkohësisht, ndjesia e fitores së shumicës aktuale, vihet re edhe në analizat e përshkrimet e mediave, më pranë të mjatës, që flasin për sondazhe (enigmatike dhe pa burime) të favorshme. Duket edhe në paraqitjen e një fitoreje të lehtë në Tiranë, apo për një luftë të fortë në disa zona, si Durrësi, Shkodra e Kukësi, pa diskutuar bastione, si Vlora, Fieri, Berati, etj.

Nga kampi opozitar, gjithashtu vihet re një farë euforie për fitore bindëse në zona të ndryshme, për shkak të zhgënjimit të elektoratit nga reformat e ndërmarra prej qeverisë, çka mbështet më me forcë PD-ja dhe lideri i saj. Madje kështu serviret edhe ndonjë zhvillim si në Durrës, me të ardhur të rinj për votime, si frikë e pushtetit se po humbet zona që i ka të tijat.

Jo më kot, vëmendja e demokratëve është përqëndruar tek fitorja nëpër bastione, pa harruar Tiranën, apo Durrësin, ku shpesh herë paraqiten sit ë fituara, apo në avantazh të kandidatëve të vet, nga sondazhe (sërish pa burime, apo me burime partiake). E njëjta situatë paraqitet edhe në mediat që mbështesin opozitën, të cilat e paraqesin çdo zhvillim, me të njëjtën ngjyrë si forca që kërkon të ringrihet, nga humbja e dy viteve më parë.

Mirëpo, ndjesia e fitores është një gjë, dhe vetë fitorja një gjë tjetër, pasi për të arritur deri atje, duhet një rrugë e gjatë, e cila mund të dhurojë edhe zhgënjim. Na mjafton të shohim zhvillimet në Britaninë e Madhe, me zgjedhjet e përgjithshme atje, këtë fundjavë, për të kuptuar, se ndjesia e fitores nuk mjafton. Fitorja e konservatorit David Cameron, që u rikonfirmua kryeministër, madje i vetëm, pa nevojë koalicionesh, u vlerësua si një tërmet politik për Mbretërinë e Bashkuar.

Ndjesia e fitores nuk mjaftoi për laburistët, që besuan fort në sondazhet, deri ditën e fundit, se do të riktheheshin në qeveri. Ata humbën, madje lideri i tyre Ed Miliband, u dorëhoq, bashkë me humbësit e tjerë, liberaldemokratët dhe euroskeptikët nacionalistë. Nuk mjafton ndjesia e fitores, për ta arritur atë, pasi zgjedhjet britanike dëshmuan, se kush zgjon elektoratin e pavendosur, mund të arrijë një ëndërr, apo një traumë për kundërshtarin politik.

Gjithçka sqarohet në një prononcim të njërës prej figurave më të zëshme laburiste të viteve të fundit, Alistar Campbell, këshilltari i Toni Blair dhe një këshillues edhe i qeverisë aktuale shqiptare. “U gabuam, tani duhet të bëjmë vetë-analizë dhe debatin që prej kohësh po evitojmë” – tha Campbell, që prej disa ditësh paraqiste në deklarata ndjesinë e tij për një fitore të sigurtë të laburistëve.

Këshilltari laburist sqaron edhe arsyet e zhgënjimit, duke u përqëndruar kryesisht tek “dehja” nga ndjesia e fitores së sigurtë: “Kur u ofroj këshillat e mia njerëzve me të cilët punoj, u them të jenë të kujdesshëm ndaj rrezikut të të qenit aq të mbyllur në guaskën e skuadrës, sa të binden për propagandën e tyre, duke harruar atë që ndodh realisht”.

Më konkretisht, Alistar Cambell, kritikon veten dhe partinë Laburiste, se pas vitit 2010, ka humbur shumë kohë për të zgjedhur një lider të ri, madje më shumë se sa nevoja për të analizuar humbjen dhe shkaqet e saj. Kjo mea culpa e tij është një domethënie e vërtetë se ndjesia për fitoren nuk mjafton për ta arritur atë, madje ka arrezik që të të çojë në një zhgënjim të thellë, nga mund ta kesh shumë të vëzhtirë për të dalë.

Natyrisht, zhvillimi i fundit britanik, nuk është asgjë tjetër veçse një leksion që duhet  lexuar dhe analizuar me shumë kujdes nga të dy kampet shqiptare. Nuk bëhet fjalë, nëse ndonjëra prej tyre do të zhgënjehet, apo jo, më 21 qershor, por që të mos tregohen euforike, pasi në këtë mënyrë mund të zhgënjejnë elektoratin e tyre, apo pritshmëritë e tij.

Gjithashtu, leksioni anglez është dhe për çdo humbës, që të mos bërtasë se iu vodh, apo manipulua e drejta, por të analizojë humbjen me vëmendje. Nuk duhet që fitorja e tjetrit të vlerësohet si një humbje të madhe për vendin, por për një forcë të caktuar, që duhet të ndryshojë, për të arritur të jetë sërish konkuruese, madje me dëshirë dhe model europian.  

 

*

Top