Konflikt politik me ndërkombëtarët?!

Nga Niko J. Papa

brukseli1Që politika shqiptare është konfliktuale, nuk është aspak gjë e re, pasi e kemi vënë re të gjithë, madje edhe të huajt që na vëzhgojnë, apo na mbajnë nën monitorim. Por, që politika jonë do të konfliktohej, apo do të shkaktonte përplasje me ndërkombëtarët, ndaj të cilëve gjithnjë është shfaqur si një vasale kokëulur dhe pa dinjitet, kjo është e pamendueshme.

Megjithatë, zhvillimet e fundit dhe ashpërsimi i gjuhës së komunikimit nga SHBA-të dhe BE-ja, drejt partive shqiptare dhe liderëve të tyre, është dëshmi e një konflikti, apo përplasjeje, sado e paqtë që të jetë. E gjitha ka lidhje me dekriminalizimin, që në fillim u kërkua me radikalizëm (deri në bojkot) nga një pjesë e politikës (opozita) dhe më pas me ndërmjetësimin e të huajve u zyrtarizua si proces.

Ndërkombëtarët, SHBA dhe BE, mbështetën dekriminalizimin, madje kërkuan nga forcat politike që të reagojnë shpejt, me qëllim që krimi të mos i imponohet asaj dhe mbarë shoqërisë. Gjithçka u la në dorën e partive, që si gjithnjë, u morrën me deklarata dhe akuza banale ndaj njëra-tjetrës, për të mos bërë asnjë hap të nevojshëm për ta realizuar procesin e shumëkërkuar.

Tashmë, kur zgjedhjet vendore janë në prag, ndërkombëtarët kanë ashpërsuar gjuhën. Ambasadori amerikan Donald Lu, deklaroi ditë më parë se, “është hera e fundit që kërkon pastrimin e listave të kandidatëve për bashkitë, nga elementët e inkriminuar”. Më pas, ishte ambasadorja e BE-së, Romana Vllahutin që deklaroi se, “pritja do të zgjasë deri më 13 maj, për të folur më pas hapur dhe me një gjuhë ndryshe”.

Pra, shihet qartë, që nga këshillat dhe rekomandimet, është kaluar në ultimatum, që duket se vijnë ngaqë politika shqiptare, më konkretisht partitë e mëdha e kanë bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh, ndaj thirrjeve, duke u përshtatur sërish me tabanin criminal që po I gërryen prej kohësh. Tashmë, nëpër media, po flitet se në zyrën e kryeministrit (ndoshta edhe në atë të kryetarit të opozitës), ka mbërritur një dosje me emrat e personave të dyshuar për inkriminim. Madje, thuhet se veç kandidatëve për kryebashkiakë, lista përmban edhe emra ministrash e deputetësh.

Hamendjet janë të shumta, por zërat janë shtuar për këtë zhvillim, pas deklaratave të forta të ambasadorëve, që duket se kërkojnë pa kompromis pastrimin e parë politik në vend. Thirrjet e deritanishme, shkojnë në një linjë me deklarimet se “shqiptarët duhet ta bëjnë vetë dekriminalizimin”, pasi në rast të kundërt pasojat mund të jenë të paparashikueshme.

Duket se, mosreagimi i partive ndaj thirrjeve të të huajve për të luftuar elementët e inkriminuar në politikë, ka radikalizuar edhe qëndrimin e tyre. Nuk dihet se çfarë hapash mund të ndërmerren nga ndërkombëtarët, në rast se heshtja apo injorimi i kampeve politike vazhdon edhe pas 13, apo 23 majit. Megjithatë flitet se, ambasada e SHBA dhe ajo e BE, janë rakorduar për të demaskuar publikisht të inkriminuarit, por edhe partitë që i mbrojnë, madje i kandidojnë, apo i zgjedhin nëpër poste.

Diçka do të ndodhë, por na mbetet të presim për të parë, pasi ndërkombëtarëve u ka ardhur në majë të hundës me arrogancën e britalitetin e korrupsionit në vend, që natyrshëm ka për protagonist politikanët dhe njerëz të zgjedhur prej tyre, me imunitet ndaj drejtësisë. Gjithashtu, të huajt po u kujtojnë politikanëve, që e kanë për detyrë që të luftojnë krimin e korrupsionin, se për të kanë marrë votën e qytetarëve, ndërsa këta të fundit, duhet të ndërgjegjësohen më shumë dhe të kërkojnë më shumë llogari vetes se ku e hedhin votën.

Nëse demaskimi i elementëve të inkriminuar, të përzgjedhur nga partitë për kandidim, apo për poste drejtuese, do të ndodhë nga të huajt, atëherë do të dëshmohej se, forcat tona politike, nuk kanë vbullnet e dëshirë, madje nxisin krimin dhe korrupsionin. Pikërisht, ky do të jetë dhe zhgënjimi më i madh, pasi reformat shtetformuese, apo vendosja e shtetit të së drejtës, nuk mund të bëhen nga element të inkriminuar, apo të lidhur me këtë botë të erërt.

*

Top