Historia e drogës me avion mbyllet me 7 të pandehur

Efektivi i policisë, Marenglen Ymeraj, sipas prokurorisë konsiderohet si pika e kontaktit mes baxhanakut të tij, Saimir Bajrami dhe personave që kanë siguruar sasinë prej 300 kilogramësh kanabis, që do të trafikohej nga plazhi i Divjakës drejt Italisë. Zbardhet roli i të pandehurve dhe takimet e Bajramit dhe baxhanakut të tij me pilotin italian në një hotel në Tiranë

 divjake

Akuzat e opozitës në fillim të vitit të shkuar se Shqipëria ishte kthyer në parajsën e trafikantëve të drogës nuk u mor në konsideratë nga qeveria, e cila nëpërmjet përfaqësuesve të saj tha se nuk kishte asnjë provë. Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ishte i pari që sinjalizoi se pista e Gjadrit në Lezhë përdorej për trafik droge me avion, por ministrja e Mbrojtjes tha se “ka zero prova”. Në kulmin e akuzave për trafik droge me avion nga zona të ndryshme të Shqipërisë, përfshi edhe Divjakën, një avion i vogël tip “Piper” u rrëzua në zonën e plazhit në tentativë për të t’u ngarkuar me 300 kilogramë kanabis që do transportohej drejt Italisë. Paralajmërimet e fillimvitit të shkuar që u pasuan edhe nga një komision hetimor, tashmë janë vërtetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila dje dërgoi për gjykim 7 të pandehur, të akuzuar si pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës me avion. Një vit nga ngjarja e 10 majit të vitit të shkuar, kur avioni i drejtuar nga piloti italian Giorgio Riformato ngeci në plazhin e Divjakës, prokuroria ka ngritur akuzë ndaj shtatë personave, të cilët do të përballen me gjykatën si të dyshuar për trafik droge kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë. Të pandehur janë: piloti italian Giorgio Riformato, organizatori i trafikut, Sajmir Bajrami, ish-punonjësi i policisë, Marenglen Ymeraj, si dhe personat që paketuan lëndën narkotike: Kristjan Demçe, Kleviol Ahmeti, Aurel Pupe dhe Orgest Bilbili.

Ngjarja sipas Prokurorisë

Në datën 10.05.2014, mbi bazën e ngjarjes së ndodhur në plazhin e Divjakës ku u gjet një avion i vogël me regjistrim “I-GRMP, tip “Piper” dhe në pjesën e pyllit përballë vendit ku e gjet avioni u sekuestruan 94 kg lëndë narkotike e në vijim sasia prej 211.8 kg në automjetin tip ‘Mitsubishi’ të drejtuar prej Sajmir Bajramit, u regjistrua procedimi penal në ngarkim të shtetasve Giorgio Riformato dhe Sajmir Bajrami. Në vijim të hetimeve u identifikuan dhe bashkëpunëtorë të tjerë të pandehurve Giorgio Riformato dhe Sajmir Bajrami. Për këtë arsye në datën 20.05.2014, në regjistrin e njoftimit të veprave penale u regjistruan emrat e shtetasve Kristjan Demçe, Kleviol Ahmeti, Aurel Pupe dhe Orgest Bilbili, të dyshuar për veprën penale. Në datën 23.05.2014 është regjistruar edhe emri i personit nën hetim Marenglen Ymeraj, ish-punonjës policie, baxhanaku i Sajmir Bajramit, i cili kishte organizuar trafikun e lëndës narkotike. Të gjithë personat e pandehur kishin patur role të ndara në tentativën e trafikut të drogës me avion, ndërsa pika lidhëse mes tyre ishte shtetasi Sajmir Bajrami, i cili jetonte prej vitesh në Itali.

Roli i të pandehurve

Sipas hetimit 1-vjeçar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka rezultuar se i pandehuri Sajmir Bajrami, emigrant prej vitesh në Itali, ka marrë përsipër të siguronte lëndën narkotike në Shqipëri, të cilën do e transportonte me avion. Transportin e kanabisit në rrugë ajrore nga Shqipëria në Itali e ka marrë përsipër bashkëpandehuri Giorgio Riformato, i cili kishte në pronësi një tip “Piper”. Në funksion të qëllimit të tyre të trafikimit, i  pandehuri Sajmir Bajrami ka përshirë në këtë aktivitet dhe baxhanakun e tij, të pandehurin Marenglen Ymeraj, i cili ka qenë efektiv i policisë nga viti 2005 deri në vitin 2013, dhe ka punuar në sektorin e operacioneve speciale në Elbasan, në seksionin e krimeve të rënda në Sarandë etj. Në vijim, të pandehurit Sajmir Bajrami dhe Marenglen Ymeraj kanë kontaktuar të  pandehurit Kristjan Demçe dhe Kleviol Ahmeti,  të cilëve u kanë kërkuar të gjenin dhe disa persona të tjerë, për të sistemuar dhe ngarkuar në avion lëndën narkotike, e cila do të trafikohej me avion për në Itali. Për këtë qëllim, të pandehurit Kristjan Demçe dhe Kleviol Ahmeti kanë kërkuar edhe ndihmën e të pandehurve  Orgest Bilbili dhe Aurel Pupe, të cilët kanë rënë dakord. Të pandehurit e sipërcituar  janë ngarkuar  të bënin dhe  ruajtjen e vendit derisa të ngarkohej lënda narkotike në avion.

Takimet e Bajramit me Riformaton

Të dhënat nga sistemi TIMS tregojnë se i pandehuri  Sajmir Bajrami ka hyrë në Shqipëri në datën 7 maj 2014, dhe një ditë pas tij në datën 8 maj 2014 ka hyrë i pandehuri Giorgio Riformato me avionin e tij tip ‘PIPER’.Pas mbërritjes në Shqipëri, i pandehuri Giorgio Riformato është akomoduar në hotel ‘’C…’’ pranë Prokurorisë së  Përgjithshme, ku ka qëndruar deri në datën 10.05.2014 datë në të cilën është planifikuar të bëhej eksportimi i lëndës narkotike  për në Itali. Provohet se mbrëmjen e datës 08.05.2014 i  pandehuri Giorgio Riformato është kthyer në hotelin “C…”,  së bashku me të pandehurit Sajmir Bajrami dhe Marenglen Ymeraj, ku këta të fundit pasi kanë lënë të pandehurin Giorgio Riformato janë larguar. Pasi të pandehurit Giorgio Riformato dhe Sajmir Bajrami kanë biseduar së bashku mbi modalitetet e kryerjes së trafikimit, kanë vendosur që ngarkimi i lëndës narkotike në avionin e Giorgio Riformatos do të bëhej në plazhin e Divjakës. Pasi i pandehuri Sajmir Bajrami ka siguruar lëndën narkotike, është rënë dakord që lënda narkotike do të transportohej për në plazhin e Divjakës në datën 10.05.2014, ku aty do të ulej i pandehuri Giorgio Riformato me avionin e tij dhe do të bëhej ngarkimi në të i lëndës narkotike, me qëllim  trafikimin në rrugë ajrore për në Itali.

Tentativa e trafikut

Në dosjen e prokurorisë thuhet se nga të dhënat e mbledhura provohet se në datën 10 maj 2014 në plazhin e Divjakës kanë shkuar të pandehurit Sajmir Bajrami, Marenglen Ymeraj, Kristjan Demçe, Aurel Pupe, Orgest Bilbili dhe Kleviol Ahmeti. Lënda narkotike është sistemuar dhe futur nëpër thasë, dhe më pas është ngarkuar në automjetin tip Fuoristradë dhe në një automjet tip “Audi”.Në të njëjtën datë, i pandehuri Giorgio Riformato është ngritur me avionin e tij me numër regjistrimi “GMRP PIPER” nga aeroporti i Rinasit rreth orës 13:25. Më pas, rreth orës 14:10’ në vendin e quajtur Plazhi i Divjakës, rrethi i Lushnjës, në afërsi të një objekti trekatësh është gjetur avioni i të pandehurit Giorgo Riformato,  me  rrotën e thyer në pamundësi për t’u ngritur përsëri. Në momentin e uljes avionit i është thyer rrota e parë. Të  pandehurit  e tjerë që ishin duke pritur në vendin e ngjarjes mbërritjen e avionit me qëllim ngarkimin në të lëndës narkotike, Sajmir Bajrami, Marenglen Ymeraj, Kristjan Demçe, Aurel Pupe, Kleviol Ahmeti dhe Orgest Bilbili duke parë se avionit iu thye rrota e parë dhe ngeci në rërë, u larguan nga vendi i ngjarjes. Gjatë largimit nga vendi i ngjarjes të  pandehurit  Aurel Pupe dhe Kleviol Ahmeti  kanë hipur në automjetin tip ‘Audi’ ose ‘Volsvagen’, në të cilin ishte ngarkuar lënda narkotike në sasi prej 94 kg. Për shkak se këtij automjeti i është çarë sadokarti dhe ka filluar të rrjedhë vaj, ata kanë shkarkuar çantat nga makina, kanë braktisur automjetin  duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

 

Të pandehur

Giorgio Riformato, piloti i avionit që do të transportonte drogën

Sajmir Bajrami, organizatori i trafikut të drogës me avion

Mareglen Ymeraj, baxhanaku i Bajramit, ish-punonjës policie

Kristian Demçe, bashkëpunëtor në trafik, në rolin e ndihmësit

Kleviol Ahmeti, bashkëpunëtor në trafik, në rolin e ndihmësit

Aurel Pupe, bashkëpunëtor në trafik, në rolin e ndihmësit

Orgest Bilbili, bashkëpunëtor në trafik, në rolin e ndihmësit

 

Të pandehurit mohojnë akuzat, Riformato: Në Shqipëri erdha për turizëm

Të akuzuarit si organizatorë të trafikut të drogës me avion nga Shqipëria në Itali kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave të prokurorisë. Si piloti italian ashtu edhe Sajmir Bajrami kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me trafikun e drogës, pasi nuk kanë njohje mes tyre. Sipas burimeve të prokurorisë mësohet se piloti italian Giorgio Riformato ka deklaruar se në Shqipëri kishte udhëtuar për qëllime turistike. Ai ka thënë se pas ngritjes nga aeroporti i Rinasit ka menduar të kryejë një udhëtim panoramik në bregdetin shqiptar dhe gjatë udhëtimit ka pësuar një defekt në motor. Për të shmangur ndonjë aksident të mundshëm, Riformato thotë se ka kryer ulje emergjente në plazhin e Divjakës, por në momentin e uljes, njëra prej gomave ka hasur një kodër rëre dhe është shkëputur nga avioni. Kjo dëshmi, sipas prokurorisë bie në kundërshtim me provat e mbledhura gjatë hetimit, përfshi edhe tabulatet telefonike. Kjo për faktin se në momentin kur policia mbërriti pranë avionit të ngecur në rërën e plazhit, Riformato kishte nxjerrë nga telefoni kartën sim, të cilën e kishte copëtuar dhe hedhur në rërë. Ky element ka ngritur dyshime tek hetuesit, të cilët arritën të gjejnë pamjet filmike që faktojnë takimet mes Bajramit dhe Riformatos në një hotel në Tiranë, ndërsa tabulatet tregojnë komunikimet e shpeshta me baxhanakun e tij, ish-punonjësin e policisë, Mariglen Ymeraj, i cili ka qenë personi i kontaktit në Shqipëri.

Authors

*

Top