Energjia, si përfitohet nga ulja e kamatëvonesës

cmimi-i-energjiseJanë rreth 5000 abonentë të energjisë elektrike, të cilëve iu është ndërprerë akt-marrëveshja e lidhur me Operatorin e Shpërndarjes për shlyerjen me këste të borxheve të energjisë. Shkak për këtë penalizim është bërë mosrespektimi i afateve kohore, siç e parashikon kontrata. Një skemë e re për të paguar borxhet e faturave të energjisë elektrike është prezantuar këtë javë nga administratori i OSHEE-së, Adrian Çela. Ajo do të bazohet në masën e detyrimeve që kanë abonentët për të paguar dhe ndarjen në këste mujore.
Nga pagesa e detyrimeve të mbartura deri më 31 dhjetor 2014, mund të përfitohen edhe ulje të kamatëvonesave deri në masën 50 për qind. Çela ka deklaruar se skema e re do të funksionojë sipas katër modeleve, të mbështetura në vlerën e borxhit që kanë abonentët. Atyre u janë ofruar aktmarrëveshje të reja, që kanë kushte më të forta se kontratat e nënshkruara deri më 31 mars të këtij viti. Mbarimi i marsit ishte afati i fundit për të përfituar uljen në masën 80 për qind të kamatvonesave. Tashmë, OSHEE ka propozuar katër modele të reja për aktmarrëveshje që ndihmojnë familjarët debitorë.

Skemat 

Modeli i parë i kësaj skeme lehtësuese u ofrohet familjarëve, të cilët kanë detyrime ndaj OSHEE- së deri në vlerën 100 mijë lekë. Të gjithë këta abonentë mund të lidhin aktmarrëveshje me OSHEE-në për pagesë të borxheve me gjashtë këste mujore. Në rast se abonentët zgjedhin që të paguajnë detyrimin me afat deri në një të tretën e afatit të sipërpërmendur, sipas shumave të ekspozimit, ofrohet reduktim për 50 për qind të kamatëvonesave. Pra, abonentët që kanë borxhe deri në 100 mijë lekë, nëse i paguajnë ato brenda dy muajsh, atëherë atyre u falet gjysma e kamatëvonesave.

Por, ky përfitim, ndryshe nga sa është vepruar me skemën e parë lehtësuese, e cila ishte në fuqi deri më 31 mars, realizohet vetëm kur të paguhet kësti i fundit mujor. Skema, sipas modelit të dytë, përfshin abonentët, të cilët kanë detyrime që arrijnë në shumën 300 mijë lekë. Këtyre abonentëve u ofrohet aktmarrëveshje për pagesën e borxhit nëpërmjet 12 kësteve mujore, pra brenda një viti. Sa u përket lehtësirave dhe përfitimeve, në udhëzimin e OSHEE-së shpjegohet se në rast se abonentët zgjedhin që të paguajnë detyrimin me afat deri në një të katërtën e afatittë sipërpërmendur, pra për tre muaj, atyre u ofrohet reduktim në vlerën e kamatës në masën 50 për qind.

Edhe në këtë model, falja e kamatëvonesës do të realizohet me këstin e fundit mujor. Modeli i katërt lidhet me konsumatorët, të cilët kanë detyrime deri në 600 mijë lekë dhe u ofrohet aktmarrëveshje për të paguar borxhet e faturave me 24 këste mujore, pra brenda dy viteve. Sa u përket lehtësimeve për këtë lloj marrëveshjeje, OSHEE ofron uljen e gjysmës së kamatëvonesës, nëse pagesa e plotë e borxhit realizohet brenda katër muajve.

E njëjta procedurë me tre rastet e lartpërmendura përdoret edhe për modelin e katërt, por për abonentët, të cilët kanë borxhe ndaj OSHEEsë, shuma që i tejkalojnë 600 mijë lekë. Atyre u ofrohen kontrata për pagesë të borxheve me 36 këste mujore dhe ulje me 50 për qind të kamatëvonesës realizohet nëse borxhi i tyre shlyhet brenda pesë muajve.

Bizneset 

OSHEE ka nisur në muajin mars procesin për lidhje të aktmarrëveshjeve edhe me bizneset debitore për shlyerjen e detyrimeve me këste. Këstet dhe afatet ndryshojnë në varësi të linjës së tensionit që biznesi është lidhur, duke nisur nga tensioni i mesëm, 35 kv, deri te tensioni i ulët, 04 kv. Deri në fillim të marsit nuk ka pasur një skemë të tillë lehtësuese për biznesin. Në total janë rreth 90 mijë kontrata debitore ndaj OSHEE nga subjekte private, me vlerë rreth 14 miliardë lekë.

Humbjet në rrjet Në tremujorin e parë, humbjet e energjisë arritën në 33 për qind, nga 35.7 për qind që ishte niveli i tyre në fundvitin 2014. Ndërsa, niveli i humbjeve rezulton me uljen 2.7 për qind, targeti i vendosur nga OSHEE, deri në fund të vitit është për ta çuar në 31 për qind. Deri në fund të vitit 2014, humbjet e energjisë u reduktuan në rreth 13 për qind, si pasojë e aksionit masiv, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, për shkëputjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë.

Sipas bilancit për vitin 2014, u reduktuan deri në masën 42 për qind, humbjet jo teknike (ose vjedhjet), ndërsa u rritën ato teknike, si pasojë e amortizimit të rrjetit, me 32%. Sipas OSHEE-së, humbjet e energjisë arritën në muajin janar 36,68 për qind, në shkurt u ulën në 31.8 për qind dhe muaji mars u mbyll me 32.89% të nivelit total. 
 

Authors

*

Top