Dritë jeshile për emërimet e gjyqtarëve, Zaganjori mbledh forumin me 7 anëtarë

zaganjori

Ngërçi i krijuar mes institucionit të Presidentit të Republikës dhe mazhorancës lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë duket se po shkon drejt zgjidhjes. Ashtu sikurse parashikohet në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, kreu i këtij institucioni, Xhezair Zaganjori mblodhi Këshillin për Emërimet, që është një organ këshillimor i Presidentit të Republikës.

Këshilli, i cili përbëhet nga shtatë anëtarë, ku bëjnë pjesë mes të tjerëve edhe Prokurori i Përgjithshëm dhe ministri i Drejtësisë, vetëm sa është konstituuar ditën e djeshme dhe anëtarët e pranishëm miratuan rregulloren për mënyrën sesi do të funksionojë. Mendohet se, me funksionimin normal të këtij këshilli, me shumë gjasë do të gjendet edhe zgjidhja sa i përket problematikës së hasur ndër vite, për emërimet në Gjykatën e Lartë, që për fat të keq, në jo pak raste janë shndërruar në “mollë sherri” mes institucionit të Presidencës dhe mazhorancave qeverisëse.

FUNKSIONIMI I KËSHILLIT
Këshilli për Emërimet në Gjykatën e Lartë, sipas ligjit është organ këshillimor i Presidentit të Republikës, i cili është i ngarkuar me detyrën e verifikimit të përmbushjes së kushteve ligjore dhe kritereve objektive shtesë nga kandidatët për anëtarë të gjykatës supreme. Pas analizimit të kushteve dhe kritereve për secilin kandidat, që është listuar nga presidenti si potencialisht i mundur për të zënë një vend në Gjykatën e Lartë, Këshilli bën renditjen e tyre dhe harton një raport me shkrim, të cilin ia përcjell kreut të shtetit.

Renditja bëhet mbi bazën e kritereve rigorozisht të përcaktuara, duke nxjerrë kësisoj në plan të parë, kandidatët që vlerësohen të kualifikuar profesionalisht dhe me integritet të lartë moral. Këshilli nuk është vendimmarrës, çka do të thotë se jo domosdoshmërisht, kreu i shtetit mund ta marrë në konsideratë përfundimin në të cilin ka dalë organi këshillimor për secilin kandidat. Gjithsesi, fakti që ky këshill funksionon për herë të parë, është një risi në sistemin e drejtësisë dhe është paraparë nga ligji si një hallkë, që do të ndikojë jo pak që në Gjykatën e Lartë të vijnë kandidatë të kualifikuar dhe jo gjykatës apo juristë të përkrahur nga politika.

VAKANCAT NË GJYKATË
Pak ditë më parë, kreu i Shtetit Bujar Nishani, publikoi listën e kandidatëve, të cilët janë përzgjedhur për të garuar për dy vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Në listë janë përfshirë emrat e gjykatësve që janë pjesë e sistemit si dhe juristë që nuk janë në sistem, por që plotësojnë kriteret ligjore. Secili nga kandidatët do të kalojë në sitën e Këshillit të Emërimeve dhe më pas dy prej tyre do t’i dërgohen për votim Kuvendit. Emrat do të dekretohen nga presidenti. Dy anëtarët që pritet të zgjidhen, do ta çojnë në 19 numrin e gjykatësve në Gjykatën e Lartë, ashtu sikurse parashikohet me ligj. Deri më tani, gjykata supreme ka funksionuar me 17 gjykatës, por me ndryshimet e reja, numri i gjykatësve u rrit me 19, ndaj duhen plotësuar dy vendet vakante. Ndërkohë pritet të emërohet edhe një tjetër anëtar i kësaj gjykate, pasi Ardian Dvoranit i ka mbaruar mandati.

 

Authors

*

Top