Dita e Europës, Inva Mula në skenën e Butrintit

mulaKëtë vit në Butrint, do të zhvillohen festimet e Ditës së Evropës, me pjesëmarrjen e veçantë  të sopranos me famë ndërkombëtare, Inva Mula.

Ky koncert është organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit. Pjesëmarrës të tjerë në këtë koncert do të jenë edhe tenori i njohur Armaldo Kllogjeri, Kori i TOB-së i drejtuar nga Dritan Lumshi dhe Orkestra Simfonike e TOB-së, drejtuar nga Maestro Noorman Widjaja, i cili ka drejtuar edhe më parë orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit në disa produksione shumë të rëndësishme dhe të mirëpritura nga publiku.

Sopranoja e mirënjohur Inva Mula u shpreh se do të sjellë për publikun edhe elemente shqiptare midis tyre edhe një arie e shkruar nga babai i saj. E pranishme në prezantimin e këtij koncerti ishte dhe ministrja Mirela Kumbaro, ndërkaq që koncerti u vlerësua dhe nga Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së. “Ka shumë arsye përse zgjodhëm Butrintin për të festuar 9 majin Ditën e Europës.  Ne duam të promovojmë historinë, kulturën dhe identitetin e shqiptarëve. Vendosëm të zgjedhim Butrintin  pasi është një ndër vendet që lidhet me identitetin e shqiptarëve”, tha mes të tjerave Vlahutin.

Programi i koncertit do të përfshijë pjesë të shkëputura nga kryevepra të kompozitorëve evropianë si Puccini, Verdi, Beethoven si dhe te atyre shqiptarë si Avni Mula, Thoma Gaqi dhe Nikolla Zoraqi, me pjesë  operistike  nga operat : “Nabucco”, “Werther”, “Carmen”, “La Traviata”, etj. Në programin e kompozitorëve shqiptarë do të interpretohen: “Agime shqiptare”, “Uvertura  festive”,  “Valle Simfonike”, etj.

Zhvendosja e skenës në skenën e Butrintit, për festimet e ditës së Evropës, synon të sjellë mesazhet e    trashëgimisë së pasur kulturore të Shqipërisë. Ky koncert i vendosur pikërisht në këtë vend të lashtë, do të jetë një  ngjarje spektakolare  dhe qëllimi i tij për të festuar ditën e Evropës do ti japë një kuptim dhe rezonancë edhe më të madhe. 

Authors

*

Top