Bizneset afat deri në 1 Mars për kasat dhe përditësimin e të dhënave, në të kundërt do përballen me gjoba

kasa fiskaleDrejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka vënë datën 1 mars 2015 si afatin e fundit që të gjitha bizneset të përditësojnë të dhënat pranë QKR. Drejtoria e Tatimeve, u bën thirrje bizneseve që të përditësojnë kodet ekonomike dhe adresat kryesore të biznesit sepse në rast të kundërt do të aplikojë gjobat. Në bazë të ligjit për procedurat tatimore, kur organet tatimore konstatojnë se tatimpaguesit nuk respektojnë kërkesat lidhur me përditësimin e të dhënave, i dënon ata me gjobë 10 000 lekë për biznesin e vogël dhe 15 000 lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin.

Gjithashtu në rast se administrata tatimore konstaton se subjekti ushtron aktivitet në adresë të padeklaruar, atëherë merret masë deri në konfiskim të mallit.   Administrata Tatimore ju rikujton bizneseve se ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore parashikojnë po ashtu gjobë nëse konstatohen parregullsi në instalimin dhe përdorimin e pajisjeve fiskale.

Kështu, herën e parë të konstatimit të mosinstalimit të pajisjes fiskale, gjoba e parashikuar është 50 000 lekë. Nëse pas verifikimit të parë konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e instalojë pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë, ose sistemin e monitorimit të qarkullimit, dënohet me konfiskim të të gjithë sasisë së mallit. Çdo konstatim i mëpasshëm i mosinstalimit të pajisjes fiskale ose sistemit të monitorimit të qarkullimit, si shkelje e përsëritur, konsiderohet evazion tatimor dhe administrata tatimore bën kallëzim penal për tatimpaguesin.  

Në rast konstatimi për mos lëshim kuponi tatimor për qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve biznesi do të gjobitet për çdo konstatim të kryer, me gjobë në masën 200 000 lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, dhe gjobë, në masën 50 000 lekë për tatimpaguesit e tjerë. Për çdo konstatim tjetër pas verifikimit të parë, ku konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, i nënshtrohet një dënimi administrativ me gjobë në masën 300 000 lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin dhe gjobë, në masën 100 000 lekë për tatimpaguesit e tjerë.

Ndërkaq, për çdo konstatim të përsëritur të moslëshimit të kuponit tatimor, pas aplikimit të dy dënimeve administrative konsiderohet evazion tatimor dhe administrata tatimore ushtron të drejtën të bëjë kallëzim penal për tatimpaguesin.   

Authors

*

Top