BERZH: Shqipëria, e para në Rajon për reformat dhe liberalizimin e tregut

berzhZyra e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Tiranë prezantoi raportin e Tranzicionit, duke renditur Shqipërinë të parën në Rajon për sa i përket reformave të ndërmarra nga qeveria dhe liberalizimit të tregut.

Shqipëria merr pikën maksimale 4+ (vlerësimi nga 1 deri 4+) për shkallën e privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha dhe të vogla, duke qenë më mirë se Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina dhe duke u barazuar në nivel me Bullgarinë dhe Rumaninë, thuhet në raportin e BERZH, i cili ndër të tjera evidenton pozitivisht ecurinë në drejtim të konkurrencës, tregut të punës, dhe zhvillimit të koorporatave, sipas Zyra Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Tiranë.

Të njëjtin vlerësim Shqipëria e merr edhe në fushën e shkëmbimeve tregtisë dhe valutore, ndërkohë që vlerësohet më poshtë (2+) për konkurrencën. Shqipëria është në terren pozitiv për klimën e krijuar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla private (SME). “Tri vende, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë përmirësuar në treguesin e rritjes së numrit të SME-ve. Ato kanë afruar lehtësi në financimin për SME-të, përveç përmirësimit të aftësive të oficerëve të kredisë në departamentet e kreditimit që trajtojnë kërkesat e SME-ve.

Sipas raportit, në sektorin e korporatave në agrobiznes, industri, “real estate” dhe teknologjinë e komunikimit, Shqipëria vlerësohet të ketë një zhvillim mesatar. Po këtë notë merr edhe energjetika, qoftë për numrin e burimeve energjetike, për burimet natyrore dhe për prodhimin e energjisë elektrike. E nivelit të lartë është vlerësimi për ujësjellësit dhe kanalizimet, infrastrukturën rrugore dhe transportin urban. Gjithashtu, sektori financiar merr vlerësime mesatare dhe të larta. Ndërkohë, tregu i punës vlerësohet i zhvilluar në shkallë të lartë (large), kurse niveli arsimor vlerësohet në mënyrë minimale (small).

 Sipas komenteve të BERZH-it në lidhje me mangësitë e aktivizimit të të rinjve, shumica e vendeve të rajonit kanë përmirësime, ndërsa ka ulje kryesisht në fushat e arsimit, përfshirjen financiare dhe strukturën e tregut të punës.

 Shqetësim i veçantë janë nivelet e larta të papunësisë afatgjatë (përqindja e njerëzve në forcë pune, të cilët kanë qenë të papunë për më shumë se 12 muaj). Papunësia afatgjatë është aktualisht rreth 6 për qind në vendet e Europës Lindore dhe 16 për qind në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Authors

*

Top